Historia e ndërtesës

MuZEH Lab është e vendosur në këtë banesë e cila daton që nga viti 1928.

Durrësi, si qytet i njohur për lëvizjet sizmike, në vitin 1926 pësoi një lëvizje sizmike të madhe duke shkatërruar qytetin dhe të gjitha banesat asokohe. Kjo banesë u ndërtua fill pas këtij tërmeti duke aplikuar sistemin antisizmik në ndërtimin e banesave dhe duke operuar gjithashtu edhe elementet dekorative dhe arkitekturën Italiane fashiste të kohës.

Banesa u ndërtua asokohe jo për banim por si një rezidencë për qytetarët të cilët mund ta merrnin me qera.

Banesa është me tre kate, të cilat nuk duken me sy të lirë në këtë krah: pasi kati i parë gjendet nën tokë për të lehtësuar shërbimet si lavanderi, ruajtje dhe gatim të vakteve të ndryshme pra kati përdhes ku gjend dhe MuZEH Lab është në katin e saj të dytë.

Siç shihet, banesa ka dy dyer me hark në material të hekurt, të punuara nga artizanë dhe hekurpunues nga Bari i Italisë. Për këtë arsye dyert janë në formë zemre dhe përmbajnë objekte origjinale të cilat nuk u ndryshuan apo tjetërsuan gjatë periudhës komuniste.

Gjatë komunizmit, rezidenca hyn në fazën e dytë të jetës së saj. Mjediset e brendshme ndryshohen diku në vitin 1948, atëherë kur jepet vendim për shtetëzimin e pronave të pronarëve të mëparshëm. Mjediset përshtaten për familjarët që do të vendosen këtu: banesës i shtohet muri ndarës, me qëllim që 6 familje të jetojnë në këtë banesë, pra dy familje për çdo kat.
Nga origjinaliteti i ndërtimit italian ruhen lartësia e mureve prej 3.80cm të larta, besnik ndaj kriterit – kyç për arkitektët Italian – të ajrimit të ndërtesave për jetë të shëndetshme.

Në të njëjtën periudhë bëhen edhe disa ndërhyrje në fasadën e jashtme të ndërtesës. Banesa kishte 4 ballkone përqark perimetrit të shtëpisë. Megjithatë hiqet ballkoni origjinal dhe përshtatet si ambjent shtesë gatimi. Kati i dytë i godinës lidhet edhe me emrin e një prej qytetarëve më të njohur të qytetit, mjekun Dr. Cara: ende sot qytetarë të ndryshëm e lidhin banesën me mjekun dhe punën e tij.

Sot ndërtesa po jeton periudhën e tretë të jetës së vet:
koha kur përdoret duke u kthyer në një mjedis ku ndërthuret trashëgimia dhe kreativiteti,
për të mbërritur te publiku i gjerë dhe duke i përcjellur kulturë për t'ia përmirësuar jetën sociale.